Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet, si do të funksionojë skema
Të gjitha banesat në Shqipëri do të jenë të detyruara të sigurohen ndaj dëmeve nga tërmetet, sipas një projektligji të ri të qeverisë shqiptare.

Skema do të administrohet nga një fond shtetëror i posaçëm dhe synon të krijojë një mburojë financiare ndaj fatkeqësive natyrore.
Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet
Projektligji parashikon ngritjen e një institucioni të ri publik – Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet – me kapital shtetëror, i cili do të administrojë skemën. Çdo pronar banese do të paguajë një prim sigurimi të përcaktuar nga Fondi, me miratimin e Ministrisë së Financave. Përjashtim do të kenë vetëm ndërtimet e përkohshme, ato prej qerpiçi, kallami apo argjile.
Shuma e sigurimit do të vendoset me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kompensimi i dëmeve do të kryhet brenda tre muajve nga dorëzimi i dokumentacionit të plotë, një afat më i shkurtuar se në versionin fillestar të ligjit.
Detyrime dhe sanksione për pronarët
Banesat që nuk do të jenë të siguruara nuk do të mund të marrin shërbime kadastrale, të përfitojnë leje ndërtimi apo të aksesojnë disa shërbime publike në portalin e-Albania dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në rastet kur një banesë ka si sigurim të detyrueshëm dhe një kontratë vullnetare, dëmshpërblimi fillimisht mbulohet nga sigurimi bazë, ndërsa pjesa e mbetur nga kontrata shtesë private.
Pjesëmarrja e kompanive private
Ndryshe nga versioni i parë, projektligji i ri hap mundësi për përfshirjen e kompanive private të sigurimeve si agjentë të shitjeve të skemës shtetërore. Këshilli i Ministrave do të përcaktojë numrin e agjentëve, komisionet dhe kushtet e bashkëpunimit. Mbikëqyrjen e përgjithshme do ta ushtrojë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), e cila do të monitorojë transparencën dhe zbatimin e kontratave, por me kompetenca të kufizuara krahasuar me versionin e mëparshëm.
Modeli turk dhe sfidat shqiptare
Skema shqiptare është ndërtuar sipas modelit turk të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, me mbështetjen e Bankës Botërore. Ndryshe nga Turqia, ku sigurimi zbatohet vetëm për banesat urbane dhe në bazë të rrezikut sizmik të zonës, në Shqipëri detyrimi do të përfshijë edhe zonat rurale dhe pa ndarje sipas nivelit të rrezikut – një element që mund të rrisë ekspozimin financiar të fondit.
Përvoja e tërmetit të vitit 2019 dhe nevoja për mbrojtje financiare
Tërmeti i nëntorit 2019 shkaktoi dëme sa 7.5% e PBB-së dhe tregoi mungesën e një mekanizmi të qëndrueshëm sigurimi. Nga mbi 6,200 dëme të raportuara, vetëm 93% u shlyen brenda një viti, me një vlerë totale prej 40 milionë eurosh – shumë herë më pak se dëmet reale, që kapnin rreth 1 miliard euro. Sipas AMF, primet për sigurimet e pronës nga katastrofat arrijnë në 2.2 miliardë lekë në vit, ose rreth 9 euro për qytetar, ndërsa pjesa më e madhe mbulohet për shkak të detyrimeve bankare.
Një domosdoshmëri për vendin më të rrezikuar në Europë
Shqipëria renditet vendi më i ekspozuar në Europë ndaj fatkeqësive natyrore, sipas Raportit të Rrezikut Botëror 2021. Humbjet e mundshme nga një tërmet i fuqishëm vlerësohen në mbi 2 miliardë euro. Ekspertët sugjerojnë që ligji të zgjerohet edhe për përmbytjet e zjarret, duke e kthyer sigurimin e detyrueshëm në një mekanizëm gjithëpërfshirës për mbrojtjen ekonomike të qytetarëve.
Burimi: Scan
Më të lexuarat






